Description
Në këtë vijim elektrizues, Margaret Atwood i përgjigjet pyetjes që ka torturuar lexuesit për dekada të tëra: Çfarë ndodhi me Efreditin? “Testamentet” vjen 35 vjet pas “Rrëfenjës”, por ngjarjet kohore në roman zhvillohen 15 vjet më vonë. Ndërkaq regjimi teokratik i Republikës së Galaadit ruan ende pushtetin e vet absolut, por disa shenja tregojnë se po kalbet nga brenda. Në këtë çast vendimtar, jetët e tri grave thellësisht të ndryshme nga njëra-tjetra shkrihen në një dhe përfundimi do të jetë një furi shpërthyese.
Dy prej tyre janë vajza të reja, rritur si pjesë e brezit të parë të formuar nën rendin e ri. Dejzi dhe Anjeza janë rritur në dy kampe të kundërta: Dejzi është vajza adoleshente, e rritur e lirë, në Kanada, ndërsa Anjeza, brenda Republikës së Galaadit, që përgatitet ditë pas dite se si të bëhet një Grua e volitshme për Komandantin me të cilin do ta martojnë.
Dëshmive të tyre do t’u bashkohet edhe një zë i tretë: një grua tashmë, që ushtron pushtetin përmes mbledhjes dhe shpërndarjes së pamëshirshme të sekreteve. Teto Lidia, dalëngadalë, do të na rrëfejë të fshehtat e themeleve të Galaadit, shndërrimin e saj nga një grua në karrierë në një Teto Themeluese të Republikës së Galaadit, pushtetin e mbajtur me intriga dhe thika të panumërta pas shpine. Te “Testamentet” na zbulohet ana e saj më intime, më e fshehtë dhe autentike. Falë retrospektivës në të shkuarën, shohim të rindërtohet origjina e Galaadit. Nuk bëhet më fjalë për mungesën e grave pjellore si shkak i parë i distopisë, sesa për mbizotërimin meskin të një gjinie mbi tjetrën. Çështja gjinore mbetet qendrore në çdo rresht të Atwood-it, e cila është aktiviste e vërtetë në këtë drejtim.
Teksa Atwood shpalos “Testamentet”, ajo hyn në mekanizmat më të fshehtë të Galaadit, ndërsa çdo grua është e detyruar të përballet me veten për të kuptuar se deri në ç’pikë mund të arrijë për të realizuar ato që beson.
VLERESIME RRETH LIBRIT
Me “Testamentet”, Atwood-i ka arritur majat, duke bërë bashkë bujarinë, intuitën dhe kontrollin. Proza e saj është e shkathët, e drejtpërdrejtë, ku ngjarjet përmbysen në mënyrë të mrekullueshme. Në gjithë botën e lexuesve, librat e historisë hapen në fletën e bardhë pasuese dhe emri i Atwood-it është shkruar në krye të saj. Kur lexon këtë libër, ndien që bota po kthehet përmbys.
– The Guardian
Me një qartësi kirurgjikale, Atwood-i dokumenton faktin që privimi i lirive themelore dhe barra e shtypjes sistematike, i shtyn njerëzit drejt ekstremeve. Ritmi i prozës së saj është i pacen.
– Entertainment Weekly
Një ftesë rrëqethëse, së cilës asnjë admirues i Atwood-it nuk mund t’i rezistojë… “Testamentet” na kujtojnë se ç’fuqi ka e vërteta përballë së keqes.
– People
Të gjejnë shpresë në një vend të pashpresë, ja, këtë kërkojnë me çdo kusht admiruesit e “Rrëfenjës së shërbëtores”. Bëhuni gati të mbani frymën gjatë gjithë kohës dhe të qani me lot të nxehtë në fund.
– Stylist
Margaret Atwood manifeston gjithë fuqinë e penës së saj… Të gjithë duhet të lexojnë “Testamentet”.
– Los Angeles Times
Një narracion i shkathët, që të bën për vete; sa nxitës, aq edhe melodramatik.
– The New York Times
“Testamentet” qëndron denjësisht mes romaneve klasike. Kjo, pjesërisht, falë aftësisë së Atwood-it për të na befasuar, edhe kur shkruan për një univers të cilin pandehim se e njohim mirë.
– USA Today
Nuk di nëse mund të ketë shkrimtar më të mirë se Margaret Atwood që të dijë të shfrytëzojë kaq mirë ankthet e epokës ku po jetojmë.
– Entertainment Weekly
Atwood na sfidon vazhdimisht dhe ngre pyetjen që gjendet si perla brenda guaskës së këtij romani ngjethës: “Para se të gjykosh, si do të silleshe ti në Galaad?”
– Sunday Telegraph
Margaret Atwood arrin të shkruajë për anët më të errëta të psikologjisë njerëzore me një stil thellësisht zbavitës dhe plot me shpresa të zymta të çuditshme.
– Naomi Alderman, shkrimtare britanike
Si arrin ta shndërrojë terrin në diçka kaq të thjeshtë? Si i ka shkuar ndër mend të fusë humorin, atje ku humori nuk ekziston? Sepse ajo është Margaret Atwood dhe mund të bëjë gjithçka!
– Ann Patchett, shkrimtare amerikane
Reviews
There are no reviews yet.