Description
Pas “Sallës së ujqërve”, një roman që tregon origjinën e Anglisë moderne përmes syve të Tomas Kromuellit, kësaj figure kaq të diskutuar, kjo pjesë e dytë e veprës që u kushtohet Tudorëve, nis më 1535, kur Sekretari i Shtetit i Henrit VIII është në kulmin e pushtetit.
Fati i tij ka shkuar përkrah atij të Ana Bolenës, bashkëshortes së dytë të mbretit, për hir të së cilës mbreti i dha fund marrëdhënies me Kishën e Romës dhe themeloi Kishën Anglikane.
Por politika e Oborrit mbretëror e shtyn Anglinë në një izolim të rrezikshëm dhe Ana nuk e mban dot premtimin: ajo nuk i jep mbretit një djalë që do të siguronte trashëgiminë e Tudorëve.
Kurora është e dobët dhe kur Kromuelli e ndihmon mbretin për t’u afruar e për të krijuar një marrëdhënie dashurie me Xhejn Sejmurin e qetë dhe të tërhequr, fundi i martesës me Ana Bolenën është i sigurt.
Ndërsa i çel rrugën mbretit përmes skandaleve seksuale të oborrit, Sekretarit të Shtetit i duhet të merret edhe me versionin zyrtar të komplotit të Anës, për të kënaqur Henrin, por edhe me sigurimin e karrierës së tij, për të ruajtur përgjithmonë pushtetin dhe kurorën.
Por askush, as Tomasi, as vetë sunduesi nuk do të dalin të pacenuar nga teatri tragjik i ditëve të fundit të jetës së Anës, mbretëreshës, e cila shkon përpara trekëmbëshit me guxim dhe solemnitet, duke përmbytur në gjak historinë angleze. “Ana Bolena, një çështje familjare” është një afresk i fuqishëm historik, emocionues dhe aventuresk dhe një dëshmi shumë e lartë letrare.
Reviews
There are no reviews yet.