Description
Antuaneta është një trashëgimtare kreole, një jetime e bukur dhe e vetmuar, që ka lindur dhe jeton në Xhamaikë, në periudhën fill pas ndalimit të skllavërisë. Ajo rritet në këtë parajsë tokësore, ku nuk ka asnjë idil, por vetëm një diell mbytës, një skamje rrëqethëse dhe një padituri vrastare. Në këtë ishull zhgjëndër, ajo martohet pothuajse me mblesëri me Eduard Roçesterin, djalin e dytë të një aristokrati anglez, i cili po kërkon një bashkëshorte me prikë të majme. Emri i Roçesterit nuk është i ri për lexuesin: ky pothuajse çunak mban të njëjtin emër të atij zotërisë së rreptë, burrit të rëndë, pas të cilit do të dashurohet Xhejn Eri, vite më vonë. Si arriti ai, Eduardi, i ri, i çiltër dhe i sinqertë të shndërrohet në një burrë të ashpër e makiavelik? Si arriti ajo, Antuaneta, e bukur, tërheqëse dhe e lirë, të shndërrohet në një makth të fshehtë?
Historia e rrëfyer në këtë roman është prelud i historisë klasike e të paharrueshme të Xhejn Erit. Autorja përfytyron Roçesterin para se ai të bëhej punëdhënësi manipulues i Xhejnit, por mbi të gjitha, ajo rrëfen se kush ishte bashkëshortja e tij e marrë, para se të shndërrohej në atë përbindëshin e fshehur që fanitet netëve në Thornfilld. Ky roman mbresëlënës u jep zë historive të lëna në harresë, të heshtura e të panjohura, duke eksploruar dritëhije të ndryshme të mënjanimit dhe të përçmimit: gjinia, klasa, raca dhe çmenduria.
VLERESIME RRETH LIBRIT
“Deti i paanë i Sargaseve” është një roman i shkëlqyer, që shlyen pengje, që ngrihet mbi rrëfimin, i shndërruar nga një vetëdije e jashtëzakonshme. Gjatë gjithë jetës së saj, Jean Rhys u përpoq të kuptonte se çfarë ndodhte midis grave dhe burrave, dhe nga këto reflektime lindi një pasuri e brendshme, përfytyrimi i fuqishëm e pothuajse vegimtar i një “Xhamaike”, ku dituria lulëzon në ligësi rrezatuese, ku injoranca mundëson mashtrime të tmerrshme dhe ku njerëzit sakatojnë e shkatërrojnë pasi e kanë frikë njëri-tjetrin.
– The New York Times
Lakonik, drithërues dhe tejet ndjellës, ky është një roman për t’u lexuar në plazh, nga ata që duan të kuptojnë lidhjet e fshehta. Nuk ka pse të shkoni deri në Karaibe.
– The Guardian
“Deti i paanë i Sargaseve” nuk është thjesht një roman i mrekullueshëm, është shumë libra të shkëlqyer në një. Ky prelud i Xhejn Erit, kompleks dhe me shtresa të shumta, ilustron gjallërisht se sa ndryshojnë historitë e rrëfyera nga ndodhitë e vërteta, dhe krijon ndjesinë se e kaluara është e pashmangshme.
– The Independent
Këtu dalin në pah jeta dhe aftësitë e kulluara të autores… Këtu proza e saj është më e zhdërvjellët, më e sigurt.
– NPR
Një arritje e jashtëzakonshme, nga çdo pikëpamje… Atmosfera e librit lë mbresa nga më të fortat.
– The New York Times Book Review
Reviews
There are no reviews yet.